Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe 22 ditë afat për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit. krerët e partive politike do të nisin serinë e takimeve këtë të hënë për këtë çështje. Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen brenda ambienteve të Kuvendit. Kreu i qeverisë së Kosovës, deklaroi disa ditë më parë se takimet me krerët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit, do të nisin në fillim të kësaj jave. Kujtojmë se të shtunën Vjosa Osmani përfundoi mandatin e presidentes, dhe ia dorëzoi mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes kryetares të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka të drejtë të mbajë këtë pozitë deri në gjashtë muaj. Pas dorëzimit të mandatit, Osmani tha se shpreson që Kuvendi sa më parë të zgjedh presidentin e ri në mënyrë që të ketë stabilitet institucional. Kriza politike në Kosovë vjen në një kohë pasigurie në rrafshin global, ku si pasojë e luftës në Iran tregjet janë çrregulluar, duke prekur edhe Kosovën.