Zbërthimi ndërkombëtar i SKY ECC nxori në pah se krimi i organizuar shqiptar kishte depërtuar jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në administratë, polici, drejtësi dhe politikë. Inside Story ka sjellë një panoramë të qartë se si nga komunikimet e mijëra aparateve të enkriptuara, SPAK ngriti nëntë dosje të mëdha dhe goditi organizatat më të fuqishme të dekadës. Operacione si “Revanshi”, “Metamorfoza” apo “Plumbi i Artë”, zbuluan se krimi nuk ishte thjesht pjesë e territorit, ishte pjesë e shtetit. Në krye të historive më të përgjakshme qëndrojnë emra që kanë tronditur opinionin publik: vëllezërit Çopja, kundër Erjon Alibej nga një krah, Plarent Dervishaj, kundër Aleksandër Muharremit nga krahu tjetër.