Për Malin e Zi, rruga drejt Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë vendimtare. Për Kosovën, procesi ende nuk ka nisur zyrtarisht. Dy vende fqinje, me të njëjtën perspektivë evropiane, por në faza krejt të ndryshme të integrimit, shkruan REL. Më 4 nëntor, Komisioni Evropian përcaktoi qershorin e vitit 2027 si afat orientues për nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Ndonëse kjo nuk nënkupton anëtarësim të menjëhershëm, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të parë të BE-së që nga pranimi i Kroacisë, më 2013. Për vendin me pak më shumë se 620 mijë banorë, ky moment vjen pas gati 18 vjetësh nga aplikimi për anëtarësim dhe 14 vjetësh nga nisja e negociatave. Në dhjetor të vitit 2022, kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, kryeministri Albin Kurti e cilësoi atë ditë historike për vendin dhe të rëndësishme për demokracinë evropiane. Gati katër vjet më vonë, optimizmi i asaj dite nuk është përkthyer në hapa konkretë. Kosova ia dorëzoi aplikimin Çekisë, e cila atëherë kryesonte Këshillin e BE-së. Që nga ajo kohë, tetë presidenca janë ndërruar në krye të këtij institucioni, nga Suedia e Spanja deri tek Irlanda, e cila e mban aktualisht kryesimin.