Për të katërtën ditë radhazi, numri i rasteve të koronavirusit në Itali është në rënie. 3491 ishin të prekurit e 24 orëve të kaluara. Një ditë më parë shifra ishte 3612. Ka rënë ndërkohë sipas zyrtarëve edhe numri i viktimave, por sidoqoftë ai mbetet akoma shumë i lartë. 683 në 24 orët e shkuara ndërsa të martën u regjistruan 743 viktima. Në total, bilanci i viktimave në Itali ka shkuar në 7503 persona. Por, ndërkohë, është shtuar edhe numri i të shëruarve dhe kjo përbën një lajm ngushëllues: në një ditë janë shëruar plot 1036 persona, duke e çuar totalin në 9362.