Idili mes dy Koreve duket se ishte e destinuar të mos zgjaste: pavarësisht entuziazmit që ngjallën samitet e pajtimit, nga Koreja e Veriut mbërrijnë sërish sinjale lufte. Peniani njoftoi se do t’i ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit me Jugun, përfshirë edhe atë direkt mes dy liderëve. Thirrjet e përditshme, të cilat janë realizuar në një zyrë ndërlidhëse në qytetin kufitar të Koresë së Veriut, Kaesong, do të pushojnë nga sot, njoftoi agjencia verikoreane e lajmeve KCNA. Sipas saj, kanalet e komunikimit ushtarak do të ndërpriten gjithashtu. Duke e përshkruar jugun si “armiku”, agjencia thotë se njerëzit e Koresë së Veriut “janë zemëruar nga sjellja e pabesë dhe dinake e autoriteteve të Koresë së Jugut, me të cilat kemi shumë çështje për të zgjidhur”.