Tre automjete luksoze janë sekuestruar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se vlera e tyre nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme të poseduesve. Kontrollet janë kryer në kuadër të planit të masave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për evidentimin e automjeteve luksoze, që mund të jenë përfituar me të ardhura me burim të paligjshëm. Nga hetimet ka rezultuar se 3 prej tyre, të prodhimit të viteve të fundit, nuk justifikoheshin me të ardhurat e njohura dhe të ligjshme të pronarëve apo drejtuesve. Për këtë arsye, automjetet u sekuestruan dhe pronarët e tyre u proceduan në gjendje të lirë për ‘pastrim i produkteve të veprës penale’. Paralelisht ka nisur edhe hetimi pasuror ndaj pronarëve të automjeteve, me qëllim verifikimin e burimit të parave me të cilat janë përfituar ato.