Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garojnë me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen këtë të diel, në Serbi, me synimin për ta rritur përfaqësimin e tyre në Kuvend. Pas vitesh përçarjesh dhe rivalitetesh, partitë u bashkuan me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ato synojnë të fitojnë tri mandate në Kuvendin e Serbisë, ku komuniteti shqiptar kishte vetëm një deputet në përbërjen e kaluar. Në prag të zgjedhjeve, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, u bënë thirrje shqiptarëve të këtyre komunave që jetojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote të shkojnë në vendlindje për të votuar. Në mesazhin e publikuar të shtunën, Kurti kërkoi shprehimisht mbështetje për “Koalicionin Shqiptar”, i cili mban numrin 17 në fletëvotim. “Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje”, tha ai. Kurti shtoi se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta. Presidentja Shiroka Pula, në thirrjen e saj, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve. “Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë”, tha ajo. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë. Në vitin 2020, shqiptarët kishin tre deputetë në parlamentin serb, por më pas pati përcarje dhe rezultati ishte një deputet. Shaip Kamberi, udhëheqës i Partisë për Veprim Demokratik dhe përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në përbërjen e kaluar të Kuvendit, thotë se partitë kishin qëndrime të kundërta për pjesëmarrjen në zgjedhje, kërkesat dhe veprimet e përbashkëta. Sipas tij, këto dallime u tejkaluan përmes ndërmjetësimit dhe këshillave të kryeministrit të Kosovës. Një përpjekje për bashkimin e partive shqiptare ishte ndërmarrë edhe më 2020, me nismën e Tiranës zyrtare, por atëherë njëra prej partive nuk iu bashkua listës. Në “Koalicionin Shqiptar” bëjnë pjesë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.