Draft propozimi i Partisë Socialiste për të reduktuar numrin e bashkive nga 61 në 46, ka nxjerrë në protestë edhe banorët e Bashkisë Klos, të cilët sipas dokumentit do të bashkoheshin me Matin. Ata u mblodhën para Bashkisë duke u rreshtuar totalisht kundër kësaj ideje. Banorët thanë se Bashkia Klos ka identitetin, historinë dhe potencialin e saj për zhvillim dhe nuk duhet të humbasë statusin si njësi e veçantë e qeverisjes vendore. Në shenjë solidariteti, tubimit iu bashkuan edhe punonjës të administratës së Bashkisë Klos, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për ruajtjen e bashkisë.