Këshilli bashkiak i Rrogozhinës miratoi unanimisht një projektvendim që kundërshton propozimin e Partisë Socialiste që kjo bashki të shkrihet me Kavajën. Këtë vendim e argumentojnë me potencialin ekonomik, bujqësor e turistik por edhe historinë që Rrogozhina ka, në bazë të të cilave duhet të ekzistojë si bashki më vete. Këshilltarët bashkiakë të Rrogozhinës e konsideruan të papranueshme një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent konsultimi dhe pa prova se një ndryshim i tillë do të sillte përmirësim të shërbimeve dhe zhvillim.