Një miliarder rus me origjinë nga Azerbajxhani është arrestuar në Mal të Zi pasi Rusia e kërkonte atë nën dyshimet se ka urdhëruar vrasje me pagesë. Mediat lokale në Mal të Zi raportuan më 2 tetor se Telman Ismailov ka paraqitur kërkesën për azil në këtë vend, një ditë pasi u arrestua në Podgoricë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Rusia. Gazeta Vijesti raportoi se kërkesa për azil politik mund të komplikojë ekstradimin e Ismailovit në Rusi. Djali i tij, Alekper Ismailov, ka në pronësi një kazino në qytetin bregdetar të Budvës.