Partia Demokratike e konsideron akt të rëndë agresioni politik, kërkesën e socialistëve për të përjashtuar 20 ligjvënës të djathtë pas tensioneve dhe përplasjeve fizike në seancën plenare të kësaj të enjte. “Kanë humbur qetësinë, kanë humbur arsyen dhe po tregojnë hapur frikën nga qytetarët dhe opozita! Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson. Ata që qytetarët i kanë refuzuar dhe i kanë shpallur të padëshiruar, sot kërkojnë të përjashtojnë nga Kuvendi përfaqësuesit e opozitës. Ky është kulmi i arrogancës dhe i shpërfilljes së demokracisë parlamentare.” Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi shton se kjo përpjekje për të mbyllur gojën e opozitës, nuk do të ndalë betejën e saj për demokraci.