Turqia po kërcënon të nisë një operacion të ri ushtarak kundër forcave kurde në Siri, pas një sulmi vdekjeprurës në territorin sirian ku ndodhen forca turke. Ankaraja ka fajësuar grupin kurd YPG për sulmin vdekjeprurës të tetorit me makinë-bombë në rajonin sirian të Afrinit që kontrollohet nga Turqia. "Ne jemi duke humbur durimin në disa zona të Sirisë që janë bërë burim sulmesh terroriste ndaj vendit tonë", tha Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.