Nëse groenlandezët do të duhet të zgjedhin njërën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Danimarkës, atëherë zgjedhja e tyre do të ishte monarkia europiane. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen deklaroi se populli i tij do të zgjidhte Danimarkën mbi Shtetet e Bashkuara pa asnjë mëdyshje nëse do t’u kërkohej të bënin një zgjedhje të tillë. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe përbën qëndrimin më të fortë të shprehur nga një përfaqësues i territorit gjysmë-autonom danez që nga rinovimi i deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e ishullit gjigant.