Dështimi për herë të 52-të i përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë, të cilët e cilësuan këtë situatë si të papranueshme dhe zhgënjyese për qytetarët. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës të premten se “Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë” dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do të forconte marrëdhëniet me Brukselin. Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se klasa politike po dështon përballë qytetarëve. “Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani kanë kaluar gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet", tha ai.