Japonia, një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dërgoi forcat e saj ajrore në Amerikën e Veriut dhe në Evropë për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n mes kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut. Japonia e sheh sigurinë e Euro-Atlantikut dhe Indo-Paqësorit si të pandashme, duke përmendur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, përpjekjet e Kinës për të ndryshuar status quo-në me forcë në ujërat e diskutueshme aziatike dhe zhvillimin e raketave bërthamore nga Koreja e Veriut. Vendosja e forcës ajrore japoneze, misioni i saj i parë në Evropë dhe Kanada, vjen pas përfundimit të operacioneve të një aeroplanmbajtëseje britanike në Azinë Verilindore. Moska, Pekini dhe Pheniani kundërshtojnë fuqimisht shtrirjen e NATO-s në Azi, duke akuzuar aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të për nxitjen e një Lufte të Ftohtë, të re, që minon sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Forca Japoneze e Vetëmbrojtjes Ajrore filloi dislokimin e saj, me emrin e koduar Shqiponjat e Atlantikut, të dielën, dhe operacioni do të përfundojë më 1 tetor. Tetë avionë, përfshirë katër avionë luftarakë F-15 dhe 180 trupa, do të vizitojnë SHBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë. Imazhet e publikuara nga Forca Japoneze e Vetëmbrojtjes Ajrore tregojnë avionët luftarakë japonezë që mbërrijnë në ndalesën e tyre të parë, Bazën e Forcave Ajrore Eielson në Alaskë. Pas alaskës, ndalesa e radhës do të jetë në kanada e më pas në britaninë e madhe dhe gjermani. Mbetet tani për t'u parë nëse Japonia do ta bëjë vendosjen e avionëve të saj luftarakë në Evropë një praktikë të rregullt dhe do të dërgojë avionët e saj të avancuar F-35 jashtë vendit në të ardhmen.