Hetimet për vrasjen e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos kanë marrë një tjetër kthesë. Autori i dyshuar i ngjarjes tanimë është një tjetër i dënuar në burgun e sigurisë së lartë, Xhuliano Halili. Halili ndodhej në të njëjtin sektor paraburgimi me viktimën, në qeli pranë njëra-tjetrës, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, ai rezulton gjithashtu të jetë plagosur gjatë ngjarjes. Ky fakt ka ngritur dyshime të forta tek hetuesit, sidomos pasi një i burgosur tjetër, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, pretendoi se ishte vetë ai autori i ngjarjes para policisë helene, ndonëse nuk kishte as edhe një shenjë dhune. Ndërkohë, i vetmi i dëmtuar fizikisht në ambientet e burgut rezulton të ketë qenë Xhuliano Halili, i njohur për precedentë të rëndë penalë brenda të njëjtit institucion vuajtjeje dënimi. Sipas burimeve nga komuniteti i të dënuarve, që prej ditëve të para pas ngjarjes është përfolur se vrasja e Jani Aliajt mund të jetë kryer nga Halili, ndërsa shtetasi grek dyshohet se është paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër autorësinë.