Mediat greke kanë zbardhur detaje të reja nga lëvizjet e 48-vjeçarit Altin Allmuça, i cili vrau 45-vjeçare, Lulieta Obzova dhe më pas kreu vetëvrasje. Pak para se të largohej nga banesa, 48-vjeçari i la bashkëshortes së tij 1 mijë euro. Më pas u nis drejt Nea Smyrnit, ku priti 45-vjeçaren pranë banesës së saj. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, kur gruaja hapi derën dhe doli nga shtëpia, ai e qëlloi me armë. Menjëherë pas krimit, 48-vjeçari e drejtoi armën nga vetja dhe i dha fund jetës. Bashkëshortja e autorit, e cila është thirrur për të dëshmuar, ka deklaruar se prej rreth 18 muajsh kishte vënë re ndryshime të ndjeshme në sjelljen e tij. Ajo ka treguar se ai mungonte shpesh në shtëpi dhe kishte net kur flinte diku tjetër, pa i treguar se ku ndodhej apo nëse kishte një lidhje me një tjetër grua.