Izraeli ka lëshuar urdhrin e parë të evakuimit në Libanin jugor që nga qershori, duke kryer njëkohësisht sulme të reja ndaj objektivave që, sipas tij, i përkasin Hezbollahut. Zhvillimi rrit shqetësimet për përshkallëzimin e tensioneve, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA. Forcat Mbrojtëse të Izraelit u kërkuan banorëve të largohen menjëherë, ndërsa njoftuan se kishin nisur “sulme të sakta” kundër objektivave të Hezbollahut, duke e justifikuar operacionin si përgjigje ndaj një “shkeljeje të plotë të armëpushimit”. Ministria libaneze e Shëndetësisë bëri të ditur se një person humbi jetën dhe 12 të tjerë u plagosën nga një sulm ajror në zonën e Tebninit.