Ministria e Jashtme izraelite ka përshëndetur votimin në Kuvendin e Shqipërisë të rezolutës që e përcakton Iranin shtet sponsor të terrorizmit. Reagimi është bërë përmes rrjeteve sociale nga ministri izraelit i punëve të jashtme, Gideon Saar. ‘Falenderoj Kryeministrin Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar që deklaron Republikën Islamike të Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin”, shkroi kryediplomati izraelit. Duke cituar përmbajtjen e rezolutës, që konsideron si kërcënime serioze për shoqëritë demokratike të të gjitha formave të terrorizmit, Saar thotë se votimi tregon edhe njëherë tjetër dimenisionin e moralit të pastër të diplomacisë shqiptare. Rezoluta u miratua në Kuvend me 79 vota pro dhe një abstenim, teksa mazhoranca socialiste ka deklaruar se do të shtyjë përpara edhe miratimin e një nisme tjetër që do të përcaktojë si organizata terroriste Gardën Revolucionare iraniane dhe grupin militant Hezbollah që vepron në Liban.