Një italian u arrestua në Tiranë pasi vodhi një makinë Audi Q5 dhe përplasi një efektiv policie. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në rrugën dytësore Durrës-Tiranë, ku 35-vjeçari Angelo Esposito mori automjetin luksoz i cili ishte lënë ndezur nga drejtuesi, dhe u largua me shpejtësi. Menjëherë në ndjekje të tij u vendosën efektivët e komisariatit numër 6 në bashkëpunim me shërbimet e policisë rrugore. Gjatë ndjekjes Italiani u përlas me disa makina të tjera dhe më pas goditi dhe një polic, i cili mori dëmtime të lehta në krah. Por arratia e 35-vjeçarit mori fund shpejt, pasi agjentët e kapën, ndërsa nga verifikimet ka rezultuar se ai ishte nën efektin e drogës. Materialet procedurale për rastin i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.