Italia njoftoi se do të mbyllë kufijtë e saj për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, në vazhdën e përpjekjeve për të frenuar një rigjallërim të pandemisë në vend. Përmes një postimi në Twitter, ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, sqaroi se “Serbia, Mali i Zi dhe Kosova janë futur në listën e vendeve në rrezik”. “Atyre që kanë qenë atje në 14 ditët e kaluara, u ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit në Itali”. “Në botë, epidemia është në fazën më të vështirë. Kujdesi maksimal është i nevojshëm për të ruajtur përparimin e bërë deri më tani”, ka shkruar Speranza. Në kulmin e pandemisë së koronavirusit në mars dhe prill, Italia u kthye në epiqendër të infeksionit.