Forcat RENEA kanë arrestuar në Bulqizë të shumëkërkuarin Fadil Tërnova. Sipas policisë Tërnova është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ishte i shpallur në kërkim për disa vepra penale. 32 vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit "Fundi i arratisë" në fshatin Vajkal të Bulqizës, ku morën pjesë forcat speciale RENEA. Ai u kap në banesën e tij ku u gjend i fshehur në ambientet e një bodrumi të hapur enkas në një prej dhomave, që ishte i mbuluar me pllakat e dyshemesë. Gjatë operacionit nga policia u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë tip "Glock" që e mbante pa leje dhe fishekë luftarak.