Shumë evropianë po vuajnë ende pasojat e izolimit të parë. Ndërsa tani po flitet për një izolim të dytë. A mund të evitohet kjo? Edhe vetë drejtuesit e vendeve të BE-së, e cilësojnë një izolim të dytë dhe pasojat e tij, katastrofale dhe të papërballueshme. Numri i infektimeve në Evropë ndërkohë ka kaluar shifrat edhe nga piku i infektimeve në fazën e parë në pranverë të këtij viti. Me rritjen e shifrave po shtohen edhe shqetësimet për një izolim të dytë. Pasojat më të rënda ekonomike nga mbyllja në pranverë kanë përjetuar Spanja dhe Franca, e pikërisht në këto vende po shtohet më së shumti numri i infektimeve së fundi.