Sektori industrial vijon të mbetet hallka më problematike e ekonomisë shqiptare, duke shënuar sërish tkurrje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se industria është i vetmi sektor i madh ekonomik që ka regjistruar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke hyrë kështu në vitin e katërt të vështirësive të vazhdueshme. Rënia është reflektuar edhe në tregun e punës, ku numri i të punësuarve në këtë sektor shënoi ulje me 2.9%. Situata lidhet me disa faktorë, mes tyre dobësimi i kërkesës nga tregjet e huaja, zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimi i kursit të këmbimit.