Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto ka shprehur mbështetjen e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian, dhe bëri thirrje për përshpejtim të këtij procesi. Ai tha se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin tashmë në BE, problemet e emigracionit mund të trajtoheshin në mënyrë më efikase. Këto komente, ai i bëri gjatë një vizite zyrtare në Sarajevë, të mërkurën. Sipas tij, më shumë se 265,000 emigrantë u ndaluan në kufirin jugor të Hungarisë vitin e kaluar. Szijjarto shtoi se emigrimi është pika kryesore e bashkëpunimit midis Ministrisë së Brendshme hungareze dhe Ministrisë së Sigurisë së Bosnjës.