Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Irani po përpiqet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si “mjet presioni ndaj botës”. Ai e akuzoi atë se synon të kontrollojë një rrugë jetike ndërkombëtare dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ndajnë barrën e mbrojtjes së transportit detar global. Duke folur para gazetarëve, para nisjes për një takim në Filipine, Rubio tha se operacionet ushtarake amerikane janë të përqendruara vetëm në ndalimin e sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare dhe në dobësimin e aftësisë së Teheranit për të kërcënuar trafikun detar. “Është e qartë se Irani, ose të paktën disa njerëz në Iran, duan ta kontrollojnë Ngushticën dhe ta përdorin atë si mjet presioni ndaj botës”, tha Rubio.