Tri vende të NATO-s, Holanda, Belgjika dhe Hungaria, thanë se kanë përfunduar operacionet e tyre për evakuimin e personelit nga Afganistani dhe të shtetasve afganë që i kanë ndihmuar. Presioni për të përfunduar evakuimet e mijëra të huajve dhe afganëve është intensifikuar, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët paralajmëruan për një sulm të mundshëm terrorist në aeroportin e Kabulit. Qeveria holandeze tha se do t’i ndalojë brenda pak orësh fluturimet e evakuimit nga Kabuli. Ajo pranoi se ky është një “moment i dhimbshëm”, pasi disa njerëz do të mbeten në Afganistanin e sunduar nga talibanët. Personeli i Ambasadës holandeze dhe ekipi ushtarak në aeroportin e Kabulit do të fluturojnë me aeroplanët e fundit të enjten, tha Qeveria holandeze.