Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se ka pezulluar përkohësisht testimin klinik të hidroksiklorinës si një trajtim i mundshëm për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Vendimi u mor pas një publikimi në revistën mjekësore The Lancet, javën e kaluar, ku thuhej se përdorimi i ilaçit te pacientët me COVID-19 mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Në një konferencë virtuale për media, ai tha se i ashtuquajturi Testim i Solidaritetit – ku qindra spitale të vendeve të ndryshme të botës kanë ndarë pacientë për të testuar lloje të ndryshme të trajtimeve për koronavirus – ka pezulluar trajtimin e hidroksiklorinës.