Kërkesa e përbashkët e tre grupeve parlamentare të opozitës për krijimin e komisionit hetimor për kompaninë KAYO nën dyshimet për trafik është depozituar në Kuvend. Në të, grupi parlamentar i PD, ai i Partisë së Lirisë dhe grupi parlamentar Aleanca për Ndryshim thonë se kompania do të përfitojë 34 milionë euro brenda pak muajve pa kryer asnjë punë. Objektivi i komisionit lidhet me kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Shoqërisë “KAYO”, në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe dyshimeve për përfshirjen e saj në trafikun e armëve.