Ushtria izraelite bën me dije se Hamasi është rrethuar nga të gjitha anët në Gaza dhe tashmë ka humbur kontrollin e veriut të vendit kjo dhe si pasojë e ofensivës në terren që gradualisht po shtrihet. Sipas një zëdhënësi të ushtrisë mijëra civilë palestinezë janë larguar nga zonat e veriut dhe po qëndrojnë në jug, pasi e kanë kuptuar se janë më të sigurt dhe se Hamasi nuk është më ai që drejton. Zëdhënësi Hagari shton se jugu i Gazës është zona ku civilët mund të kenë më lehtë akses te ushqimet, medikamentet dhe uji i pijshëm. Ndërkohë që bombardimet ndaj strukturave të militantëve kanë vijuar edhe gjatë natës. Burime palestineze deklarojnë se mes objektivave të raketave izraelite ishte një tjetër kamp refugjatësh ku u vranë mbi 19 persona. Izraeli nuk ka hezituar të kundërpërgjigjet dhe ndaj raketave të lëshuara nga Hezbollahu në Liban apo dhe militantët e sponsorizuar nga Irani në Siri.