Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia e Tiranës organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Porosia”. Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi me inicialet P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë dhe me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve. Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore. Hetimet janë përqëndruar në identifikimin e blerësve të lëndës plasëse, pasi ka dyshime se 52 vjeçari po e transportonte atë për llogari të personave të tretë.