Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas operacionit “Shkolla të Pastra”, të finalizuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë, pas rreth 4 muajsh hetime. Demo e cilësoi operacionin të suksesshëm, duke vlerësuar bashkëpunimin me Prokurorinë, hetimin profesional dhe përdorimin e metodave speciale. Sipas tij, goditja e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht pranë shkollave, mbetet një nga prioritetet e Policisë së Shtetit. Në kuadër të operacionit janë goditur disa grupe që dyshohet se merreshin me shitjen e lëndëve narkotike, ndërsa janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest në burg” për 31 persona. 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.