Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:20, në banesën e vajzës së çiftit Patushi, ku 58-vjeçarja Lumturie Patushi kujdesej për nipërit e saj. Bashkëshorti i saj, 68-vjeçari Hysni Patushi, shkoi në banesë pasi kishte konsumuar alkool dhe nisi një debat me bashkëshorten. Në vendin e krimit ndodheshin edhe nipërit e tyre, të cilët u bënë dëshmitarë të ngjarjes. Sipas dëshmisë së nipit 14-vjeçar, ai ndodhej në shtëpi kur pa gjyshërit duke debatuar. Fëmija është larguar për pak çaste nga ambienti ku ndodheshin ata dhe, kur është kthyer, ka parë gjyshin duke goditur me thikë gjyshen. 58-vjeçarja mbeti e plagosur rëndë dhe familjarët njoftuan policinë. Fillimisht, në sallën operative u raportua për një plagosje të rëndë. Forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në banesë, por pavarësisht ndërhyrjes, Lumturie Patushi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje.