Bojkoti në gjykatat e rretheve për çështjen e pagave vijoi pjesërisht këtë të enjte. Në Berat, Durrës, Fier dhe Vlorë puna u ndërpre me përjashtim të seancave që lidhen me masat e sigurisë, ndërsa në disa qarqe të tjera seancat vijuan normalisht. Arsyeja e bojkotit është mos kalimi i pagave të këtij muaji të adninistratës së kësaj gjykate,paga që duhet të kishin kaluar që në datën 3 shtator. Vonesa e pagave lidhet me proçesin e shqyrtimit të përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve, por kjo situatë ka sjellë vonesa edhe për administratën e gjykatës, që bën pjesë në të njëjtat listëpagesa që nuk janë kaluar nga Ministria e Financave. Punonjësit në gjykatën e Beratit deklaruan se do të vijojnë me bojkotin deri në zgjidhjen e problemit. Ngërçi me pagat në gjyqësor bllokoi edhe Gjykatën e Durrësit, ku seanca u mbajtën vetëm më çështjen e masave të sigurisë dhe urdhrave të mbrojtjes. Të kufizuara janë edhe shërbimet e ofruara nga administrata e gjykatës në seksionin civil.