Një gjykatë në Romë ka gjobitur ministrinë e Brendshme me 700 euro për transferimin e një emigrant algjerian në kampin e Gjadrit në Shqipëri. Shuma e gjobës është simbolike dhe pa peshë në buxhetin e kësaj ministrie, por vendimi është një precedent për raste të ngjashme, që mund të hapë një kapitull të ri të përplasjes mes qeverisë së Giorgia Melonit me drejtësinë italiane. Transferimi i emigrantit në Shqipëri, sipas gjyqtarëve të gjykatës së Romës, "ndikoi drejtpërdrejt në të drejtat themelore të mbrojtura nga konventa europiane e të drejtave të njeriut dhe ligjet e Kushtetuta vendase". Algjeriani, rreth moshës 50 vjeçare u transferua në Gjadër më 10 prill të vitit të kaluar. Atij iu tha fillimisht se do ta transferonin në qendrën e pritjes në Brindizi, por prej andej kaluan Adriatikut dhe e strehuan në Gjadër.