Gjykata e Korrupsionit dhe e Krimit të Organizuar vendosi pushimin e akuzës për ish-kryetarin e Bashkisë Has, Adem Lala dhe noteres Farie Deri. Ata ishin nën hetim nga SPAK për shpërdorim detyre për shitjen e një banese në Krum të Hasit. Ndërkohë avokati Laurent Thomollari deklaroi se akuza ishte sajuar pa asnjë provë për klientët e tij. Burimet nga tch thanë se gjykata e posaçme u shpreh se nuk ekziston fakti penal. Vendimi u shpall në seancën paraprake , pasi SPAK e dorëzoi Lalën si të akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me një praktikë shitblerjeje të një objekti me sipërfaqe 77 m2. Avokati Përparim Boka që përfaqëson ish kryebashkiakun, i tha gazetares Anila Hoxha se hetimi nuk duhet të kishte nisur as nga prokuroria e Kukësit dhe as nga SPAK, sepse ishte e qartë që nuk kishte vepër pasi shitblerja nuk ishte realizuar, pasi vetë zyrtari Lala e anuloi këtë procedurë me një vendim të viti 2019.