Seanca e radhës në gjyqin e themelit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u shty sërish. Shkak u bë mungesa e katër të pandehurve, apo avokatëve të tyre. Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme i paraqiti gjykatës kërkesën e shtyrjes së seancës dhe pezullimit të afateve të paraburgimit për Erion Veliajn. Kërkesa e dytë u kundërshtua nga ana e avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, i cili ndodhej në sallë. Ndreca e konsideroi antikushtetuese penalizimin e Veliajt me pezullim afatesh paraburgimi, përsa kohë nuk ishte ai shkaku i shtyrjes së seancës. Megjithatë, gjykata nuk pranoi argumentimin e mbrojtjes dhe miratoi dy kërkesat e SPAK. Në dalje, Ndreca tha për gazetarët se as Kryebashkiaku Veliaj dhe as ai vetë nuk ishin njohur plotësisht me provat e pretenduara nga SPAK.