Në ditën e tretë të gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku po dyshohet për një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu deklaroi nga vendngjarja se mbetjet e gjetura në këtë zonë janë konfirmuar me prejardhje njerëzore. Ndërsa kërkoi të ruhet integriteti i hetimeve dhe të respektohen familjet e personave të zhdukur, Haxhiu akuzoi lidershipin e Serbisë për fshehje të krimeve të luftës dhe për vazhdimin e gjuhës së urrejtjes, me pretendime territoriale dhe retorika shoviniste.