Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës po bëhen gati për dislokim në Gaza, dhe po presin vetëm dritën e jeshile nga institucionet shtetërore. Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në vendin e shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, një mekanizëm që është parashikuar të formohet me themelimin e Bordit të Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për paqen në botë. Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para, përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë, që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gaza. Megjithatë, në publik dihet pak se kur do të dislokohen ushtarët e FSK-së atje, dhe sa do të jetë numri i tyre.