Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike u arrestua nga policia gjatë operacionit të koduar Fast Albania. Spartak Berisha 26 vjeç, banues në Kavajë, kërkohej nga autoritetet italiane pasi gjykata e Breshias I ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Për këtë vepër penale parashikohet dënim maksimal deri në 24 vjet burgim. Nga hetimet rezulton se 26-vjeçari, si pjesëtar i një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shqiptarë, por edhe nga disa shtetas italianë, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të kësaj organizate, ka trafikuar lëndë narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në disa zona të Italisë. Ai u lokalizua në qytetin e Kavajës ku dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian.