Stuhia Nils, e cila ka përfshirë Francën prej dy ditësh, ka marrë një tjetër jetë njeriu, sipas zyrtarëve, në jugperëndim të vendit, ku alarmi i kuq është në fuqi për shkak të rrëzikut të përmbytjeve nga lumi Garonne. Mediat franceze konfirmuan vdekjen e një 84 vjecari si pasojë e stuhisë ndërsa më herët, një shofer kamioni 55 vjec, kishte hubur jetën në rajonin Landes, në një aksident të shkaktuar nga një degë peme që ra mbi xhamin e tij të përparmë. Sipas zyrtarëve, në këtë stuhi janë raportuar edhe të paktën pesë lëndime të rënda dhe 21 të lehta, si edhe një total prej 4500 ndërhyrjesh nga shërbimet e emergjencave. Disa rajone janë aktualisht nën alarm portokalli për erën, pas shpërthimeve deri në 160 km/orë përgjatë bregdetit të Atlantikut një ditë më parë. Lumi Garonne në jugperëndim të vendit, është kërcënues ndërkohë që përmbytje të mëdha janë regjistruar në zonën përreth.