Tre persona kanë humbur jetën të hënën si pasojë e rrëzimit të një avioni të vogël në landin Nordrhein-Ëestfalen të Gjermanisë. Bëhet fjalë për një avion të tipit Cessna 172, i cili ishte nisur gjatë paradites nga një zonë në veri të Utrechtit, në Holandë. Pasi hyri në hapësirën ajrore gjermane, avioni u rrëzua rreth orës 11:20 pranë fshatit Gerderath, në afërsi të qytetit Erkelenz. Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni me katër ulëse përfundoi në një fushë dhe u dëmtua rëndë, duke u shkatërruar pothuajse tërësisht nga përplasja. Policia gjermane konfirmoi se në avion ndodheshin tre persona. Të gjithë humbën jetën në vendngjarje. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur identitetet e viktimave. Ndërkohë, ekipet hetimore kanë nisur punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit. Hetimet për ngjarjen janë ende në vazhdim.