Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të mbajë të mërkurën fjalimin e saj vjetor mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, ku pritet të përcaktojë prioritetet e BE-së për vitin e ardhshëm. Përmbajtja e fjalimit në Parlamentin Evropian, në Strasburg, është mbajtur sekret, por pritet që von der Leyen të flasë për inteligjencën artificiale, ndryshimet klimatike, zjarret që goditën Evropën gjatë verës, mbrojtjen e fëmijëve në internet, luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet tregtare. Fjalimi vjen në një kohë kur BE-ja përballet me një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Von der Leyen pritet të paraqesë edhe bilancin e një viti pune, nga marrëveshjet tregtare dhe investimet në mbrojtje, te mbështetja për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë.