Pas konfirmimit të rastit të parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës. Një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana kanë mbërritur në terren për kryerjen e hetimit entomologjik dhe depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e pranisë së mushkonjës që transmeton virusin e Nilit Perëndimor dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për kontrollin e saj. Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr trajtimin mjekësor përkatës. Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, ai është paraqitur në spital, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.