Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në punimet e Këshillit të Evropës e vendosi theksin tek emigracioni dhe pasojat negative që i ka sjellë vendit. Berisha duke iu referuar të dhënave të Eurostat-it, tha se “nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së”. Ndërsa e lidhi largimin e qytetarëve me situatën politike dhe kriminalitetin në Shqipëri. Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi. Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa.