Personi që dyshohet se porositi vrasjen e Behar Sofisë, ka mohuar përpara togave të zeza të ketë lidhje me ngjarjen. Skëndër Vathi mësohet të jetë shprehur se nuk e njeh fare personin që shkrepi këmbëzën, Ernej Shyti, pikërisht ai që i përmendi emrin. Vetë 24 vjecari, i cili u prangos në Mali e Zi e iu dorëzua policisë shqiptare nga kolegët malazezë, ka dalë kokëulur në gjykatë. I riu e ka pranuar krimin dhe është shfaqur i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai ka rrëfyer se iu premtuan 50 mijë euro për të këtë ekzekutim ndërsa ndërmjetësi ishte Xhuliano Visha. Raportet në media tregojnë se 24 vjecari ka treguar po kështu se nuk kishte vrarë ndonjëherë, dhe se për t`u mësuar me armën bashkë me Vishën kane bërë qitje në Krrabë. Në mesin e të prangosurve është edhe Leonard Xhixha, i cili gjithashtu e ka pranuar tashmë se ishte ai që kontaktoi me Vishën që ka nga ana tjetër kishte detyrën të gjente personin që do të kthehej në ekzekutuesin e Behar Sofisë.