Fëmijët kridhen në ujërat e ngrohta të Detit të Zi dhe ata që bëjnë banja dielli mbushin plazhet. Por ky nuk është një sezon i zakonshëm pushimesh në Rusi. Në verën e pestë të luftës në Ukrainë, rusët po përballen me mungesa të mëdha karburanti dhe rrezikun e sulmeve me dronë, ndërsa planifikojnë pushimet e tyre vjetore në diell. Pasiguria po ndikon në sektorin e udhëtimeve dhe kohës së lirë, sipas të dhënave të industrisë, me një milion rezervime të anuluara për Krimenë e aneksuar nga Rusia që nga fundi i qershorit. Anton Sidorov, pronar i një lokali në Anapa, në Rusinë jugore, tha se kishte qëndruar i mbyllur në maj dhe qershor për shkak të mungesës së klientëve. Ai i tha Reuters këtë javë se kishte hequr dorë nga planet për t'ë hapur lokalin këtë sezon. "Nuk shoh asnjë arsye," tha ai. Turistët e intervistuar në Anapa, një qytezë e njohur për shëtitoren buzë detit dhe plazhet e gjata me rërë, thanë se kushtet e sigurisë ishin bërë një pjesë integrale e planifikimit të pushimeve.