Një ngjarje e rëndë ndodhi në rajonin italian të Umbrias, ku një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur u mbajtën peng nga ish-bashkëshorti i saj shqiptar. Shqiptari kishte hyrë ilegalisht në Itali dhe i kishte mashtruar për të udhëtuar nga Shqipëria. Pasi mbërritën, 53-vjeçari ua kishte marrë pasaportat dhe telefonin celular, duke përdorur dhunë fizike për t’i mbajtur nën kontroll pë dy ditë. Gruaja u gjet e plagosur dhe iu dha ndihmë mjekësore. Alarmi u dha nga autoritetet shqiptare, të cilat kontaktuan menjëherë homologët e tyre italianë dhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, Karabinierët arritën të lokalizojnë makinën ku ndodheshin tre personat. Në momentin që panë patrullën, gruaja dhe fëmijët kërkuan menjëherë ndihmë. Ata u liruan në vend dhe u vendosën në një strukturë të sigurt, ndërsa shqiptari u arrestua në flagrancë dhe u dërgua në burg. Ai përballet me akuza të rënda për rrëmbim, dhunë dhe hyrje ilegale në vend.