Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, sektori bankar, sipas Revistës Monitor, ka klasifikuar ‘rrezikun e goditjeve nga jashtë’ dhe rrezikun e ‘përkeqësimit të ekonomisë në vend’, si dy rreziqet kryesore sistemike. Përshkallëzimi i proteksionizmit tregtar mes SHBA-së dhe partnerëve tregtarë pas rritjes së tarifave të importit, rritja e ndjeshmërisë në tregjet financiare, si dhe tensionet gjeopolitike, (veçanërisht lufta në Ukrainë dhe në Gaza, përplasjet mes Izraelit dhe Iranit), kanë shtuar shqetësimin tek bankat, duke e kategorizuar trasferimin e goditjeve negative nga jashtë, si rrezikun sistemik më të rëndësishëm.