Në Gjykatën e Posaçme këtë të martë dëshmoi i pandehuri Ilirjan Feçi, i cili rrëfeu detaje lidhur me grabitjen me dhunë të ndodhur në muajin shkurt 2011 në Elbasan në banesën e Lirak Bajraktarit, nga ku kanë grabitur një çantë me bizhuteri dhe flori. Sipas tij, në këtë ngjarje ka vepruar me Talo Çelën dhe Dashnor Dumanin, duke përjashtuar si pjesëmarrës në grabitje Gentjan Sharrën. Ai tha se ditën e grabitjes janë nisur nga shtëpia me makinën e tij, që e kishte me targa italiane. “Kur bëmë grabitjen një çantë e mbajta unë, 1 e kishim. Ishim me një automjet Ranger Rover në pronësinë time. Te shtëpia e Talo Çelës kemi çuar varëse, byzylykë, unaza dhe orë medaljon. I kemi shitur në Tiranë dhe kemi ndarë lekët. Ngjarja është filmuar nga kamerat e një banke dhe një banese private”, deklaroi ai. Feçi u shpreh se pamjet filmike provojnë se në këtë grabitje nuk ka marrë pjesë Gentjan Sharra, duke iu drejtuar SPAK se është gënjyer prej tre vitesh nga Nuredin Dumani.